Solomoni i dërgoi fjalë Hiramit, mbretit të Tirit, e i tha: «Ti i dërgove Davidit, atit tim, cedra për të ndërtuar shtëpinë ku banonte. M'i dërgo edhe mua.
Ja, unë po filloj ndërtimin e një tempulli për nder të emrit të Zotit, Perëndisë tim, një tempull që do t'i kushtohet atij. Në tempull do t'i kushtojmë Zotit temjan erëmirë, do t'i paraqesim pandërprerë bukët e paraqitjes dhe do t'i kushtojmë fli shkrumbimi në mëngjes e në mbrëmje, për të shtunat, për hënat e reja dhe për të gjitha të kremtet e Zotit, Perëndisë tonë, sepse kjo është detyrë e përhershme e Izraelit.
Por kush mund të ndërtojë një tempull për atë që s'e nxënë as qiejt, as qiejt e qiejve? Kush jam unë që t'i ndërtoj një tempull vetëm për t'i kushtuar temjan?
Prandaj më dërgo një njeri të aftë për të punuar arin, argjendin, bronzin dhe hekurin, që di të përdorë ngjyrën e purpurt, të kuqen dhe vjollcën, e që është mjeshtër i gdhendjes. Ai do të punojë bashkë me mjeshtrat e mi nga Juda e nga Jerusalemi, të cilët i ka përgatitur Davidi, ati im.
Më dërgo edhe dru cedri, qiparisi e pishe prej Libanit, sepse unë e di se shërbëtorët e tu janë mjeshtra për prerjen e drurit të Libanit. Shërbëtorët e mi do të punojnë bashkë me shërbëtorët e tu,
Shërbëtorëve të tu, që do të presin e bëjnë gati drutë, do t'u jap për ushqim gjashtë mijë tonë grurë të shkoqur, gjashtë mijë tonë elb, tetëqind mijë litra verë dhe tetëqind mijë litra vaj».
E Hirami shtoi: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, krijuesi i qiejve e i tokës, që i dha mbretit David një bir plot urti, dije, mençuri e arsye, i cili po ndërton një tempull për nder të Zotit dhe një pallat mbretëror.
Huram Abiu është i biri i njërës prej bijave të Danit, ndërsa i ati i tij është nga Tiri. Ai di të punojë arin, argjendin, bronzin, hekurin, gurin, drurin, ngjyrën e purpurt, vjollcën, të kuqen dhe lirin. Di të bëjë çdo gdhendje dhe ia pret mendja për çdo gjë që t'i kërkohet. Ai do të punojë bashkë me mjeshtrat e tu dhe me mjeshtrat e timzoti, Davidit, atit tënd.
Atëherë Solomoni bëri regjistrimin e të gjithë të ardhurve në Izrael, pas regjistrimit që kishte bëri ati i tij, Davidi, dhe dolën njëqind e pesëdhjetë e tri mijë e gjashtëqind.
Shtatëdhjetë mijë prej tyre i caktoi si punëtorë ngarkim-shkarkimi, tetëdhjetë mijë si gurgdhendës në mal dhe tre mijë e gjashtëqind si mbikëqyrës të punëtorëve.