|
| 1 |
|
| Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij. |
|
| 2 |
|
| Kështu Jobi mori fjalën dhe tha: |
|
| 3 |
|
| "Humbtë dita në të cilën linda dhe nata që tha: "U ngjiz një mashkull!". |
|
| 4 |
|
| Ajo ditë u bëftë terr, mos u kujdesoftë për të Perëndia nga lart, dhe mos shkëlqeftë mbi të drita! |
|
| 5 |
|
| E marrshin përsëri terri dhe hija e vdekjes, qëndroftë mbi të një re, furtuna e ditës e tmerroftë! |
|
| 6 |
|
| Atë natë e marrtë terri, mos hyftë në ditët e vitit, mos hyftë në llogaritjen e muajve! |
|
| 7 |
|
| Po, ajo natë qoftë natë shterpe, mos depërtoftë në të asnjë britmë gëzimi. |
|
| 8 |
|
| E mallkofshin ata që mallkojnë ditën, ata që janë gati të zgjojnë Leviathanin. |
|
| 9 |
|
| U errësofshin yjet e muzgut të tij, le të presë dritën; por mos e pastë fare dhe mos paftë ditën që agon, |
|
| 10 |
|
| sepse nuk e mbylli portën e barkut të nënës sime dhe nuk ua fshehu dhembjen syve të mi. |
|
| 11 |
|
| Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj? |
|
| 12 |
|
| Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe sisët për të pirë? |
|
| 13 |
|
| Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja, |
|
| 14 |
|
| bashkë me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut, që kanë ndërtuar për vete rrënoja të shkretuara, |
|
| 15 |
|
| ose bashkë me princat që kishin ar ose që mbushën me argjend pallatet e tyre. |
|
| 16 |
|
| Ose pse nuk qeshë si një dështim i fshehur, si fëmijët që nuk e kanë parë kurrë dritën? |
|
| 17 |
|
| Atje poshtë të këqinjtë nuk brengosen më, atje poshtë çlodhen të lodhurit. |
|
| 18 |
|
| Atje poshtë të burgosurit janë të qetë bashkë, dhe nuk e dëgjojnë më zërin e xhelatit. |
|
| 19 |
|
| Atje poshtë ka të vegjël dhe të mëdhenj, dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij. |
|
| 20 |
|
| Pse t'i japësh dritë fatkeqit dhe jetën atij që ka shpirtin në hidhërim, |
|
| 21 |
|
| të cilët presin vdekjen që nuk vjen, dhe e kërkojnë më tepër se thesaret e fshehura; |
|
| 22 |
|
| gëzohen shumë dhe ngazëllojnë kur gjejnë varrin? |
|
| 23 |
|
| Pse të lindë një njeri rruga e të cilit është fshehur, dhe që Perëndia e ka rrethuar nga çdo anë? |
|
| 24 |
|
| Në vend që të ushqehem, unë psherëtij, dhe rënkimet e mia burojnë si uji. |
|
| 25 |
|
| Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh. |
|
| 26 |
|
| Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi". |
|
|
|
|