Këto janë rrobat që do të bëjnë: një parzmore, një efod, një petk, një tunikë të thurur, një kësulë dhe një brez. Të bëjnë rroba të shenjta për Aronin, vëllanë tënd, dhe për bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj.
Rripi mbi efod të punohet nga e njëjta copë dhe ashtu si efodi, të punohet me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur.
Vendosi të dy gurët mbi suporet e efodit që të jenë si përkujtimore për bijtë e Izraelit. Kështu Aroni do t'i mbartë emrat e bijve të Izraelit mbi të dyja suporet si përkujtimore para Zotit.
Qëndise parzmoren e gjykimit me mjeshtëri siç qëndise edhe efodin. Punoje me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur.
Kështu, kur të hyjë në shenjtërore, Aroni do të mbartë në zemër emrat e bijve të Izraelit të gdhendur në parzmoren e gjykimit si një përkujtimore të përhershme para Zotit.
Brenda parzmores së gjykimit vendos Urimët e Tumimët, që Aroni t'i ketë në zemër kur të dalë para Zotit. Kështu, ai do të mbartë përherë në zemër mjetet për t'u shpallur vendime bijve të Izraelit në prani të Zotit.
Do të jetë mbi ballin e Aronit, që ai të mbartë fajin e izraelitëve kur të kushtojnë dhuratat e shenjta. Do ta ketë përherë në ballë, që ato të pranohen para Zotit.
Kur të shkojnë në tendën e takimit ose kur t'i afrohen altarit për të shërbyer në shenjtërore, Aroni e bijtë e tij t'i veshin që të mos bien në faj e të vdesin. Ky të jetë një rregull i përhershëm për Aronin dhe pasardhësit e tij».