Kur populli pa se Moisiu po vonohej të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aronit e i tha: «Ngrihu e na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit, nuk dimë ç'u bë me të!».
Shpejt e lanë udhën që i urdhërova të ndiqnin. Bënë për vete një viç të metaltë. E adhurojnë, i flijojnë fli e thonë: “Këta janë perënditë e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit”».
Por Moisiu ia zbuti zemërimin Zotit, Perëndisë së tij, duke i thënë: «Përse, o Zot, ndizet zemërimi yt kundër popullit tënd që e nxore nga dheu i Egjiptit me forcë të madhe e me dorë të fuqishme?
Përse të thonë egjiptianët: “I nxori me dredhi për t'i vrarë nëpër male e për t'i shuar nga faqja e dheut”? Zmbrapse zemërimin e hiq dorë nga e keqja që do t'i bësh popullit tënd.
Kujto Abrahamin, Isakun e Izraelin, shërbëtorët e tu, të cilëve iu betove për veten tënde e u the: “Do t'i shumoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë për të cilën ju fola, do t'ua jap pasardhësve tuaj. Ajo do të jetë përgjithmonë e tyrja”».
Ai u tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Secili të rrokë shpatën e vet. Përshkojeni fushimin derë më derë e secili të vrasë vëllanë, mikun dhe fqinjin e vet”».