Zoti i tha Moisiut: «Ngrihu prej këtej, ti dhe populli që nxore nga toka e Egjiptit, e shko drejt tokës që i premtova Abrahamit, Isakut e Jakobit kur u thashë se do t'ua jap pasardhësve të tyre.
Zoti i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve: “Jeni një popull kokëfortë. Sikur të ecja me ju edhe për një çast, do t'ju zhbija. Hiqini, pra, stolitë e pastaj do të vendos se çfarë do të bëj me ju”».
Moisiu e merrte tendën dhe e ngulte jashtë fushimit, larg nga fushimi i izraelitëve. Atë e quajti tenda e takimit. Kushdo që kërkonte këshilla nga Zoti shkonte te tenda e takimit që ishte jashtë fushimit.
Zoti i fliste Moisiut ballë për ballë, ashtu siç flet dikush me mikun e vet. Pastaj Moisiu kthehej në fushim, ndërsa ndihmësi i tij, djaloshi Jozueh, biri i Nunit, nuk largohej nga tenda.
Moisiu i tha Zotit: «Shiko, ti më ke thënë t'i prij këtij populli, por nuk më ke bërë të ditur se kë do të dërgosh me mua. Ti vetë më ke thënë se më njeh me emër dhe se kam gjetur hir para teje.
Prandaj, nëse kam gjetur hir para teje, m'i bëj të ditura udhët e tua, që të të njoh e të gëzoj gjithnjë përkrahjen tënde. Kije parasysh se ky komb është populli yt».
Si do të merret vesh që unë dhe populli yt kemi gjetur hir para teje, përveçse duke u nisur me ne? Vetëm kështu unë dhe populli yt do të dallohemi nga tërë popujt e tjerë mbi faqen e dheut».
Zoti i tha: «Do ta kaloj para teje tërë mirësinë time dhe do të shpall para teje emrin e Zotit. Do të kem mëshirë për atë që dua të mëshiroj e do të kem dhembshuri për atë që dua të kem dhembshuri.