Ditë e errët dhe e zezë, ditë e vrenjtur e plot terr, përmbi male seç sterron. Ja, një popull i shumtë e i fortë që kurrë s'është parë në kohët e lashta e as do të shihet brez pas brezi.
Zjarr përpirës i paraprin, flakë shkrumbuese i shkon pas, si kopshti i Edenit toka para tij, por humbëtirë të shkretë lë pas. Askush nuk i shpëton dot.
Kapërcejnë kreshta malesh me ushtimë karrocash ushtrie, me kërcitje flakësh zjarri kur përpin kashtën e thatë, si një popull i fuqishëm që në luftë rreshtohet rresht.
Zoti e lëshoi kushtrimin në krye të ushtrisë së tij. Gjerë e gjatë shtrihet fushimi, sa i fuqishëm ai që zbaton fjalën e tij. E madhërishme dita e Zotit, e tmerrshme shumë është ajo. Ballë kush mund t'i bëjë?
Shqyeni zemrat e jo rrobat, kthehuni te Zoti, Perëndia juaj. I mëshirshëm e i dhembshur është ai, i ngadaltë në zemërim e plot mirësi, i vjen keq për fatkeqësitë.
mblidhni popullin, shenjtëroni bashkësinë, mblidhni pleq e fëmijë, foshnjat që thithin gji. Daltë dhëndri prej dhomës, edhe nusja prej odës së nusërisë.
Mes portikut dhe altarit, të vajtojnë priftërinjtë, shërbëtorët e Zotit: “Ki mëshirë, o Zot, për popullin tënd! Pronën tënde mos e lër të turpërohet, që kombet mos të tallen me të. Pse mes tyre të thuhet: ku është Perëndia i tyre?”.
Do ta heq prej jush veriorin, do ta zboj në djerrinë të shkretë. Pararojën do t'ia hedh në detin e lindjes, praparojën në detin e perëndimit. Do të qelbet e do të kutërbojë. Vepra të madhërishme ai bëri.
Gëzohuni e festoni në Zotin, Perëndinë tuaj, o bijtë e Sionit. Ai ju shpërbleu me shirat e hershëm, ju dërgoi shiun e vjeshtës dhe të pranverës, si dikur.