Mandej, Moisiu e theri mëzatin, mori gjak me gisht dhe e vuri mbi brirët e altarit rreth e qark. Kështu e pastroi altarin prej mëkatit. Pjesën tjetër të gjakut e derdhi te themelet e altarit dhe e shenjtëroi për të kryer mbi të shlyerjen.
Pasi i lau të përbrendshmet dhe këmbët me ujë, Moisiu e dogji të gjithë dashin mbi altar, siç e kishte urdhëruar Zoti. Ishte fli erëkëndshme shkrumbimi, fli zjarri për Zotin.
Moisiu e theri, mori gjak dhe e leu Aronin në bulën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së djathtë.
Pastaj afroi bijtë e Aronit dhe i leu me gjak në bulën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së djathtë. Pjesën tjetër të gjakut, Moisiu e spërkati rreth altarit.
Prej shportës së bukëve të ndorme që ishte para Zotit, mori një bukë të ndorme, një kulaç me vaj dhe një pite e i vuri mbi dhjamin e mbi kofshën e djathtë.
Moisiu mori gjoksin e dashit dhe e ngriti si fli lartësimi para Zotit. Kjo ishte pjesa prej dashit të flisë së shugurimit që i takonte Moisiut, siç e kishte urdhëruar Zoti.
Pastaj Moisiu mori vajin e vajosjes dhe gjakun që ishte në altar e spërkati me to Aronin, rrobat e tij, bijtë e tij e rrobat e bijve të tij. Kështu, ai e shenjtëroi Aronin, rrobat e tij, bijtë e tij e rrobat e bijve të tij.
Mandej, Moisiu i tha Aronit e bijve të tij: «Ziejeni mishin te hyrja e tendës së takimit e hajeni aty bashkë me bukët, që janë në shportën e flisë së shugurimit, ashtu siç urdhërova kur thashë t'i hanin Aroni e bijtë e tij.
Për shtatë ditë mos u largoni prej hyrjes së tendës së takimit, derisa të plotësohen ditët e shugurimit, sepse duhen shtatë ditë që të bëhet shugurimi juaj.