Pastaj levitët të vënë duart mbi kryet e demave. Njëri dem t'i kushtohet Zotit si fli mëkati dhe tjetri si fli shkrumbimi për të kryer shlyerjen e mëkatit të levitëve.
Nga izraelitët, levitët janë ata që më janë kushtuar krejtësisht. Ata i kam marrë për vete në vend të çdo fryti të parë të barkut, të çdo të parëlinduri të izraelitëve.
Mua më përket çdo i parëlindur i izraelitëve, i kafshëve dhe i njerëzve, sepse ditën kur godita tërë të parëlindurit në tokën e Egjiptit, i kushtova për veten time.
Ia dhashë Aronit e bijve të tij si dhuratë prej izraelitëve që të shërbejnë në tendën e takimit në vend të popullit e që të shlyejnë izraelitët. Kështu izraelitët nuk do të dënohen me plagë kur t'i afrohen shenjtërores».
Atëherë Moisiu, Aroni dhe tërë bashkësia e izraelitëve i kushtuan levitët. Izraelitët bënë gjithçka që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut në lidhje me levitët.
Më pas levitët hynë në tendën e takimit për të shërbyer para Aronit e bijve të tij. Ata vepruan ashtu siç Zoti i kishte urdhëruar Moisiut në lidhje me levitët.