Shqip Së Bashku 2020
|
| 1 |
| Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal e pasi u ul, iu afruan dishepujt e vet. |
| 2 |
| Atëherë mori fjalën e filloi t'i mësonte kështu: |
| 3 |
| «Lum të varfrit në shpirt, se e tyre është mbretëria e qiejve. |
| 4 |
| Lum ata që vajtojnë, se do të ngushëllohen. |
| 5 |
| Lum të butët, se do të trashëgojnë tokën. |
| 6 |
| Lum të uriturit e të eturit për drejtësi, se do të ngihen. |
| 7 |
| Lum të mëshirshmit, se do të mëshirohen. |
| 8 |
| Lum zemërdëlirët, se do të shohin Perëndinë. |
| 9 |
| Lum paqebërësit, se do të quhen bij të Perëndisë. |
| 10 |
| Lum të përndjekurit për shkak të drejtësisë, se e tyre është mbretëria e qiejve. |
| 11 |
| Lum ju kur t'ju shajnë e t'ju përndjekin, të thonë të gjitha të këqijat kundër jush me gënjeshtra për shkakun tim. |
| 12 |
| Gëzohuni e ngazëlleni, se shpërblimi juaj do të jetë i madh në qiej. Kështu përndoqën edhe profetët para jush». |
| 13 |
| «Ju jeni kripa e tokës. Por nëse kripa e humbet shijen, si mund ta rifitojë? Nuk ka më asnjë vlerë, përveçse të hidhet e të shkelet prej njerëzve. |
| 14 |
| Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur mbi një mal. |
| 15 |
| Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje, por e vë në mbajtësen e vet, që të ndriçojë të gjithë ata që janë në shtëpi. |
| 16 |
| Kështu duhet të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të përlëvdojnë Atin tuaj që është në qiej». |
| 17 |
| «Mos mendoni se kam ardhur për të shfuqizuar ligjin apo profetët. Unë nuk kam ardhur për t'i shfuqizuar, por për t'i përmbushur. |
| 18 |
| Me të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë “i” dhe asnjë pikë mbi “i” nuk do t'i hiqet ligjit para se të ndodhë gjithçka. |
| 19 |
| Prandaj, kushdo që e shpërfill njërin nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, e do t'i mësojë edhe të tjerët të bëjnë po ashtu, ai do të jetë më i vogli në mbretërinë e qiejve. Ndërsa ai që do t'i zbatojë e do t'ua mësojë të tjerëve, do të jetë i madh në mbretërinë e qiejve. |
| 20 |
| Ja, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e shkruesve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve». |
| 21 |
| «Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq. |
| 22 |
| Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në Gehenën e zjarrit. |
| 23 |
| Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, |
| 24 |
| lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde. |
| 25 |
| Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai mos të të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të përfundosh në burg. |
| 26 |
| Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit». |
| 27 |
| «Keni dëgjuar se është thënë: mos bëj tradhti bashkëshortore. |
| 28 |
| Por unë po ju them: kushdo që e shikon një grua me dëshirim, ka bërë tashmë tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet. |
| 29 |
| Nëse syri yt i djathtë të bëhet pengesë, nxirre e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët, sesa të të hidhet i tërë trupi në Gehenë. |
| 30 |
| Dhe, nëse dora jote e djathtë të bëhet pengesë, prije e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh vetëm njërën nga gjymtyrët, sesa të të shkojë i tërë trupi në Gehenë». |
| 31 |
| «Është thënë edhe: kushdo që e ndan gruan, duhet t'i japë asaj fletëndarjen. |
| 32 |
| Por unë po ju them: kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, e shtyn atë në tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore». |
| 33 |
| «Keni dëgjuar edhe se u qe thënë të parëve: mos bëj betim të rremë, por bëj atë për të cilën je betuar para Zotit. |
| 34 |
| Ndërsa unë po ju them: mos u betoni kurrë. As për qiellin, se është froni i Perëndisë, |
| 35 |
| as për tokën, se është shtroja e këmbëve të tij, as për Jerusalemin, se është qyteti i mbretit të madh. |
| 36 |
| Mos u beto as për kokën tënde, se as edhe një fije floku nuk mund ta bësh të bardhë a të zezë. |
| 37 |
| Kur të flisni, thoni “po” kur është “po” dhe “jo” kur është “jo”. Çfarë thuhet më shumë, vjen nga i ligu». |
| 38 |
| «Keni dëgjuar se është thënë: sy për sy e dhëmb për dhëmb. |
| 39 |
| Por unë po ju them: mos hyr në luftë me të ligun! Përkundrazi, nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën. |
| 40 |
| Nëse dikush do që të të hedhë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe gunën. |
| 41 |
| Nëse të kërkon të ecësh një milje, bëj me të dy milje. |
| 42 |
| Jepi atij që të kërkon e mos ia kthe shpinën atij që të kërkon hua». |
| 43 |
| «Keni dëgjuar se është thënë: duaje të afërtin, por urreje armikun tënd. |
| 44 |
| Por unë po ju them: duajini armiqtë tuaj e lutuni për ata që ju përndjekin, |
| 45 |
| që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët dhe të bjerë shiu mbi të drejtët e mbi të padrejtët. |
| 46 |
| Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, ç'shpërblim do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? |
| 47 |
| Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç'gjë të veçantë bëni? A nuk bëjnë kështu edhe popujt e kombeve? |
| 48 |
| Jini, pra, të përsosur, sikurse është i përsosur edhe Ati juaj qiellor». |
|
| Ruaj Shënimet |
https://beblia.bible:81/BibleAudio/albanian2018/matthew/005.mp3
28
5