"Respekto muajin e Abibit dhe kremto Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë tënd, sepse në muajin e Abibit Zoti, Perëndia yt, të nxori nga Egjipti, gjatë natës.
Dhe nuk do të hash bashkë me të bukë të mbrujtur; shtatë ditë do të hash bukë të ndorme (sepse dole me nxitim nga vendi i Egjiptit), me qëllim që ta kujtosh ditën që dole nga Egjipti tërë ditët e jetës sate.
Nuk do të shihet maja pranë teje, brenda tërë kufijve të tua, për shtatë ditë me radhë; dhe nuk do të mbetet asgjë nga mishi që flijove mbrëmjen e ditës së parë për gjithë natën deri në mëngjes.
por do ta flijosh Pashkën vetëm në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij; do ta flijosh në mbrëmje, në perëndim të diellit, në orën që dole nga Egjipti.
Gjashtë ditë me radhë do të hash bukë të ndorme; dhe ditën e shtatë do të mbahet një asamble solemne për nder të Zotit, Perëndisë tënd; ti nuk do të bësh gjatë kësaj dite asnjë punë.
pastaj do ta kremtosh festën e Javëve për nder të Zotit, Perëndisë tënd, duke bërë ofertat e tua vullnetare dhe kjo në masën që Zoti, Perëndia yt, të bekon.
Dhe do të gëzosh përpara Zotit, Perëndisë tënd, ti, biri yt dhe bija jote, shërbëtori yt dhe shërbëtorja jote, Leviti që ndodhet brenda portave të tua, dhe i huaji, jetimi dhe e veja që ndodhen në mes teje, në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij.
dhe do të gëzohesh në festën tënde, ti, biri yt dhe bija jote, shërbëtori yt dhe shërbëtorja jote, dhe Leviti, i huaji, jetimi dhe e veja që ndodhen brenda portave të tua.
Do të kremtosh një festë për shtatë ditë me radhë për nder të Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Zoti ka zgjedhur, sepse Zoti, Perëndia yt, do të bekojë të gjitha të korrat e tua dhe tërë punën e duarve të tua, dhe ti do të jesh shumë i kënaqur.
Tri herë në vit çdo mashkull i yt do t'i paraqitet Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur, në festën e bukëve në festën të ndorme, në festën të Javëve dhe të Kasolleve; asnjeri prej tyre nuk do të paraqitet para Zotit duarbosh.
Do të caktosh gjykatës dhe zyrtarë brenda portave të tua për çdo fis tëndin, në të gjitha qytetet që Zoti, Perëndia yt, të jep; dhe ata do ta gjykojnë popullin me vendime të drejta.
Nuk do ta prishësh drejtësinë, nuk do të tregohesh i anshëm dhe nuk do të pranosh dhurata, sepse dhurata i verbon sytë e njerëzve të urtë dhe korrupton fjalët e njerëzve të drejtë.