Shqip Së Bashku 2020
|
| 1 |
| Moisiu, njeriu i Perëndisë, i bekoi kështu izraelitët para se të vdiste: |
| 2 |
| « Zoti erdhi prej Sinait, prej Seirit rrezatoi mbi ta, vezulloi prej malit Paran, bashkë me mijëra të shenjtë. Zjarr flakërues, lëshonte dora e tij e djathtë. |
| 3 |
| Ti që popujt i do, në dorë i ke gjithë të shenjtët. Nën këmbët e tua, ata përulen, e fjalën tënde zbatojnë, |
| 4 |
| ligjin, që na dha Moisiu, si trashëgimi për bashkësinë e Jakobit. |
| 5 |
| Mbret i Jeshurunit u bë Zoti, kur u mblodhën krerët e popullit, të gjitha fiset e Izraelit. |
| 6 |
| Rroftë Rubeni e mos u shoftë, edhe pse i vogël në numër». |
| 7 |
| Këtë i tha Judës: «Dëgjoje, o Zot, zërin e Judës, ktheje te populli i vet. Duart i pastë gati për luftë, prej kundërshtarëve shpëtoje». |
| 8 |
| Levit i tha: «Tumimi e Urimi yt, qoftë me besëtarin. Atë e sprovove në Masë, në ujërat e Meribës me të u grinde. |
| 9 |
| Për nënën e atin e vet tha: “Nuk i këqyr!”, vëllanë nuk e pranoi, bijtë e vet nuk i njohu, për të mbajtur fjalën tënde, besëlidhjen tënde për të ruajtur. |
| 10 |
| Do t'ia mësojë Jakobit vendimet e tua, Izraelit, ligjin tënd. Temjan do të djegin para teje, fli shkrumbimi mbi altarin tënd. |
| 11 |
| Bekoje, o Zot, fuqinë e tij, pranoji veprat e duarve të tij. Kundërshtarët e tij këputi në mes, mos ngritshin më krye armiqtë e tij». |
| 12 |
| Benjaminit i tha: «I dashuri i Zotit jeton i sigurt pranë tij, gjithë ditën nën mbrojtjen e tij. Në kraharorin e Zotit banon ai». |
| 13 |
| Jozefit i tha: «Toka e tij, bekim prej Zotit, prej stolive të vesës së qiellit, të ujërave që shtrihen nën dhe, |
| 14 |
| prej dhuratave që prodhon dielli, që sjell çdo hënë e re, |
| 15 |
| prej të përzgjedhurave të bjeshkëve të moçme, prej begatisë së kodrave të amshuara, |
| 16 |
| prej të mirave e plotësisë së dheut, dhe përkrahjes së atij që në shkurre u duk. Ia mbulofshin kryet Jozefit, ballin e të shuguruarit mes vëllezërve. |
| 17 |
| Madhështor si i parëlinduri i mëzatit, e me bri si ato të kaut, që me to shpon popujt e tokën anekënd. E tillë është moria e Efraimit e mijërat e Manaseut». |
| 18 |
| Zabulonit i tha: «Gëzohu, o Zabulon, në rrugëtimet e tua e ti Isahar në tendat e tua. |
| 19 |
| Do të thërrasin popujt në mal, për të kushtuar fli drejtësie. Do të gëzojnë pasuritë e detit e thesaret e fshehta të rërës». |
| 20 |
| Gadit i tha: «Bekuar qofshin hapësirat e Gadit, si luan ai shtrihet e shqyen fund e krye. |
| 21 |
| Zgjodhi për vete më të mirën, se kur krerët e popullit u mblodhën, hise prijësish ai mori. Drejtësinë e Zotit, ai zbatoi, vendimet e tij bashkë me Izraelin». |
| 22 |
| Danit i tha: «Dani është pjellë luani që kërcen prej Bashanit». |
| 23 |
| Neftaliut i tha: «Neftaliu u kënaq me hir, përplot me bekimet e Zotit. Zotëron perëndimin e jugun». |
| 24 |
| Asherit i tha: «Qoftë Asheri ndër më të bekuarit e fëmijëve, i pëlqyeshëm ndër vëllezërit e tij. Këmbët i laftë me vaj. |
| 25 |
| Shulat i pastë prej hekuri e bronzi e fuqia i qoftë përjetë». |
| 26 |
| «Nuk ka si Perëndia, o Jeshurun. Kalëron qiej e re me madhështi, që në ndihmë të të vijë. |
| 27 |
| Strehë është Perëndia i amshuar, përkrahje krahët e tij të përjetshëm. Armiqtë i zbon para teje, “Shkatërrojini”, ai urdhëron. |
| 28 |
| Izraeli banon i sigurt, rrjedha e Jakobit e qetë, në tokën e drithit e të verës, ku vesa e qiellit rigon. |
| 29 |
| Lum ti, o Izrael. Cilin popull shpëtoi Zoti si ti? Ai është mburoja që të mbron, shpata që lavdi të sjell. Armiqtë do të të lëpihen, e ti do t'i shtypësh me këmbë». |
|
| Ruaj Shënimet |
https://beblia.bible:81/BibleAudio/albanian2018/deuteronomy/033.mp3
34
33