Nga zëri i atyre që ndajnë ujin lugjeve, shpallen veprat e drejta të Zotit, veprat e tij të drejta për bujqit e Izraelit, teksa populli i Zotit zbret te portat e qytetit.
Prej Efraimit erdhën ata, që rrënjët në Amalek i kishin, pas teje Benjamini u bashkua me popullin tënd, prej Makirit zbritën prijësit, prej Zabulonit marshuan luftëtarët, që skeptrin mbanin.
Prijësit e Isaharit erdhën me Deborën, ashtu si Baraku, edhe Isahari nxitonte pas tij mes përmes luginës. Mes njësive të Rubenit vendosnin me gjithë zemër.
“Mallkojeni Merozin”, tha engjëlli i Zotit, “mallkojini, mallkojini banorët e tij, se nuk i erdhën në ndihmë Zotit, në ndihmë Zotit dhe trimave të tij”.
Nga dritarja vrojtonte nëna e Siserit, nga hekurat e dritares thërriste: “Përse vonon të kthehet qerrja jote? Përse kaq e ngadaltë trokëllima e thundrave?”.
“Kanë gjetur plaçkë e mes tyre po e ndajnë, nga një a dy vajza për çdo luftëtar, plaçkë lufte tërë ngjyra për Siserin, plaçkë tërë ngjyra qëndisur, tërë ngjyra qëndisur për shpatullat e plaçkitësit”.